INVESTOMETRI

Në procesin e politikëbërjes, krahas rëndësisë së planifikimit të mirë dhe implementimit, nevoja e monitorimit dhe evaluimit të politikave është e pazëvendësueshme. Përveç që ekzistojnë probleme të dukshme në ndarjen e buxhetit bazuar në nevojat e qytetarëve, një tjetër sferë ku implementimi i politikave çalon është edhe informimi i qytetarëve për projektet që zhvillohen në komunat e tyre. INVESTOMETRI synon që në mënyrë vizuele të paraqesë investimet kapitale në kohë reale sa ato ndodhin.

Ky projekt synon të ofrojë më shumë informacion tek qytetarët rreth investimeve kapitale. I filluar me përkrahjen e National Endowment for Democracy (NED), projekti mëton të krijojë një hapësirë të marrjes së informatave, mbajtjes përgjegjës të autoriteteve në lidhje me projektet kapitale dhe të transparencës në shpenzimin e parasë publike.

INVESTOMETRI ka për qëllim që të ofrojë një instrument të monitorimit me anë të së cilit të gjithë qytetarët mund të “inspektojnë“ punimet në lagjet, fshatrat dhe qytetin e tyre. Kjo hapësirë e munguar deri më tani do t’i ofrojë qytetarëve mundësinë që të shohin në hartë të qytetit se ku po ndodhin investimet kapitale, sa është vlera e tyre, sa është kohëzgjatja e tyre dhe nëse janë kryer në kohë apo jo.

Objektivat kryesorë të INVESTOMETRI-t janë:

1. Të ofrojë një hapësirë të qasshme nga publiku për tu informuar rreth buxhetit, me theks të veçantë shpenzimeve kapitale, duke siguruar një mekanizëm të përcjelljes që ofron informata të vazhdueshme për progresin e projekteve të ndryshme kapitale në regjione të caktuara.

2. Të ngushtojë hendekun në mes të vendimmarrjes politike dhe qytetarëve në komunat e zgjedhura duke siguruar transparencë më të madhe dhe nivel të llogaridhënjes dhe informim më të madh të qytetarëve rreth projekteve kapitale në komunën e tyre.

3. Të sigurojë një mundësi të involvimit direkt të qytetarëve në zhvillime strategjike në komunat e caktuara.

4. Të i ofrojë komunave një mundësi për të promovuar më shumë punën e tyre tek qytetarët duke i informuar ata rreth projekteve të kaluara, aktuale dhe të ardhshme.

Ky projekt implementohet nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP). Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) është një institut kërkimor dhe qendër e avokimit që ofron zgjidhje strategjike për politika publike bazuar në hulumtime të pavarura.